Kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu gjatë ditës së sotme ka pranuar edhe dhuratën e dytë, pas asaj që mori nga familja e heroit, Ali Ajeti, njofton Llapi.info.

Kësaj radhe, Veliu ka pranuar një dhuratë “tepër të çmuar, maketën e urës së re mbi lumin Llap”
“Sot pata kënaqësinë ta pres në zyren time Gani Ramadanin, që është nxënës në Gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë. Nga ai pranova një dhuratë tepër të çmuar, maketën e urës së re mbi lumin Llap” ka shkruar Veliu në Facebook.

I pari i Podujevës gjatë pranimit të kësaj dhurate premtoi se gjatë qeverisjes së tij si prioritet do t’i ketë nxënësit e dalluar dhe talentët e fushave të ndryshme.

“U nderova me këtë dhuratë, që është një vepër artistike e krijuar nga ky nxënës llapjan.
Gjatë bisedës, Ganiut i premtova se qeverisja komunale do t’i ketë prioritet për mbështetje nxënësit e dalluar dhe talentët në fusha të ndryshme”, ka përfunduar shkrimin e tij Veliu./Llapi.info