Dy kandidatët për kryetar të Podujevës, Agim Veliu nga LDK dhe Ajet Potera nga LVV të cilët janë në balotazh në garën për qytetin e Podujevës, sot ishin të ftuar në Interaktiv të KTV-së.

Por ky ballafaqim në mes Poterës dhe Veliut nuk do të ndodh pasi që Veliu ka refuzuar të marrë pjesë në këtë emision ku i ftuar ishte kundër kandidati i tij nga LVV Ajet Potera.

Për këtë, Potera përmes një postimi në Facebook e ka krahasuar Veliun me liderin e tij Isa Mustafa që dikur thoshte se me duar në xhepa do ta fitonte Prishtinën.

Sipas tij, më 19 nëntor, Veliu do të ndëshkohet nga qytetarët sikurse e ndëshkuan liderin e tij.

“Debati për Podujevën, i paraparë të zhvillohet sonte në Interaktiv të KTV-së, u anulua për shkak të refuzimit të Agim Veliut për t’u përballur me mua. Arroganca dhe injorimi që ky njeri i bën qytetarit, është e ngjashme me atë, që lideri i tij Isa Mustafa, dikur me duar në xhepa, ia bënte qytetarëve të Prishtinës. Ai po harron që me 19 nëntor, nuk ka barazh por ka balotazh. Me 19 nëntor, gara fillon nga zeroja. Me 19 nëntor, arroganca e tij do të ndëshkohet, siç u ndëshkua dikur lideri i tij.”, ka shkruar Potera.

Qytetarët e Podujevës pritet të daline dhe njëherë në votim më 19 nëntor pasi që në zgjedhjet e 22 tetorit asnjëri kandidat nuk arriti ti fitojë mbi 50% të votave të qytetarëve.