Agim Veliu, ministri i Punëve të Brendshme, ka komentuar deklaratën e Albin Kurtit, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), i cili ka thënë se sa ishte kryeministër ai, Veliu i kishte shkuar me kërkesa për aksione që i thoshte vetëm me gojë dhe jo me shkrim.

Veliu në një prononcim për Klankosova.tv e quajti Kurtin “mashtrues tipik” që siç tha ai “mashtron opinonin publik”.

“Kam shkuar dhe ia kam dërguar kërkesën. Çdo gjë do të thotë ka qenë e përgatitur mirë edhe është pritur vetëm një miratim i tij si kryeministër. Unë e kam njoftuar, por ai nuk ka pasë guxim që të lejojë autorizimin për të zhvilluar aksionin sikurse që u bë mbrëmë”.

I pyetur se pse Kurti thotë për të se nuk ka pasë guxim, ai tha se nuk e di për këtë dhe se duhet të pyetet i pari i LVV-së.

“Unë e kam vlerësuar atë si frikacak, ai vetëm manipulon me opinionin me teza populiste qysh e ka ai zakon. Ai u pa gjatë asaj periudhe sa ka qeverisë se nuk ka pasë guxim me asnjë punë konkrete vetëm me manipulime të këtij lloji”.

Kurti gjatë konferencës për media kishte thënë se krejt çka ka mundur Veliu t’i thoshte atij për aksionin ishte se atë e ka siguruar Miradie Kelmendi, kryeshefe e inspektoratit policor, se gjithçka do të shkonte në rregull.