Një drejtor në komunën e Podujevës po akuzohet se kishte marrë rryshfet sa kishte postin e të parit të Urbanizmit në komunë. Por megjithëkëtë, Durim Salihu ka arritur të emërohet përsëri Drejtor në Komunë këtë herë në dikasterin e Inspekcionit.

Sami Bulliqi i përfshirë si investitor i një projekti që pritej të realizohej në fshatin Llugë të Podujevës ka akuzuar Salihun për rryshfet. Por kjo akuzë nuk e ka penguar këtë të fundit që të emërohet përsëri drejtor.

Lidhur me këtë çështje Express ka tentuar të marrë një përgjigje prej kryetarit të Podujevës, Agim Veliut dhe Drejtorit, Durim Salhiu por asnjëri nuk kanë qenë të qasshëm gjatë ditës së dielë.

Në tetor të vitit të kaluar, kandidati i VV’së për Kryetar të Podujeves, Ajet Potera, a pati denoncuar Agim Veliun se përmes Durim Salihut u kishte kërkuar haraç bizneseve.

Pas kësaj, Veliu kishte paditur Poterën. Mirëpo, lënda e kësaj padie ende nuk është shqyrtuar. Avokati i Veliut, Besnik Berisha, kishte thënë se Veliu i cilëson këto deklarime si të pavërteta, dhe me qëllimin e vetëm për të dëmtuar reputacionin e tij dhe të LDK-së.

Para shtatë muajsh, Salihu, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit, i kishte thënë KTV’së se akuzat e Sami Bulliqit nuk qëndrojnë. Kishte thënë se ka angazhuar avokat për t’i sqaruar të gjitha akuzat.

“Ato informata që janë publikuar janë të pavërteta, s’ka asnjë aferë, Durim Salihu është shumë i pastër në këtë shpifje nga zotërinjtë në fjalë, unë i kam ofruar të gjitha argumentet dhe kam angazhuar avokatin tim, drejtësia do të vijë në vend”, kishte thënë Salihu.

Për mjetet që familja Bulliqi thotë t’i ketë marrë Salihu, kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Podujevës, Ajet Potera në Interaktiv të KTV-së kishte akuzuar kryetarin aktual Agim Veliun se i kishte marrë haraç.