Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim zëvendëskomandantin Detashmentit të Përbashkët Rajonal – Qendra (JRD-C) të KFOR-it, nënkolonelin Juka Ranta, me të cilin ka biseduar për gjendjen e sigurisë në komunën e Podujevës dhe në vend.

Gjatë takimit të sotëm, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu e informoi zëvendëskomandantin e JRD-C të KFOR-it, nënkolonelin Juka Ranta, për gjendjen e sigurisë dhe bashkëpunimin me KFOR-in si dhe për investimet që po bëhen në Komunën e Podujevës në ndërtimin e infrastrukturës dhe ngritjen e zhvillimit ekonomik.

Kryetari Veliu tha se vlerëson lart rolin dhe angazhimin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, pra edhe në komunën tonë.

“Ne në vazhdimësi kultivojmë raporte korrekte dhe bashkëpunim të mirë me KFOR-in. Këtë bashkëpunim, që është në interes të sigurisë së qytetarëve tanë, do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen”, tha kryetari Veliu.

Kryetari Veliu e informoi nënkolonelin Ranta edhe për investimet e bëra në infrastrukturë, zhvillim ekonomike dhe projekte të tjera, që janë duke u realizuar në Komunën e Podujevës.

Zëvendëskomandanti i JRD-C të KFOR-it, nënkoloneli Juka Ranta vlerësoi lart bashkëpunimin e Komunës së Podujevës në ruajtjen e një ambienti të sigurt për të gjithë.