Ka ndërruar jetë edhe një person tjetër nga Podujeva, i prekur me koronavirus, duke çuar në total numrin e viktimave nga kjo komunë në gjashtë, raporton Llapi.info.

Lajmin për vdekjen e A.F., e ka bërë të ditur në një postim në Facebook nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari.

“Miku im para disa ditës kishte rezultuar pozitiv me COVID-19, i cili pamëshirshëm po merr jetë njerëzish në mbarë botën, por edhe në vendin tonë. Në këto momente të dhimbjes së madhe jam me familjen Fetahu dhe bashkëndjej me ta. Ngushëllimet e mia më të thella për humbjen e njeriut të mirë”, ka shkruar Rudari.

Rudari u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e IKSHPK-së dhe të japin kontributin në mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe të familjeve.

Deri më tani, 116 persona kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë në Kosovë./Llapi.info