Sot ka vdekur Zoje Prendi, nëna e pesë djemve të vrarë në masakrën e Mejës. Më 27 prill të vitit 1999 asaj ja vranë pesë djemtë, Viktorin, Sokolin, Markun, Robertin dhe Gjergjin.

Për këtë ka njoftuar edhe nipi i saj, Egzon Marku në Facebook.

“Sonte u shua AJO. Ajo zonja fisnike, me zemër të madhe e me shpirt të bardhë, me guximin e çeliktë e shpirtin plotë vuajtje por me mendjen e kristaltë. Ajo që çdo sfidë të jetës ia dilte mbanë faqebardhë. Ajo që e deshi jetën si dhuratën më të çmuar që Zoti ja dha, asnjëherë nuk u dorëzua”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Masakra e 27 prillit të vitit 1999 në fshatin Meje të Gjakovës është masakra më e madhe në Kosovë ku brenda disa orëve ushtria paramilitare serbe la të vrarë 376 persona.

Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës. Grumbullimi i djemve dhe burrave në grupe nga mosha 15-60 vjeç filloi në orët e hershme të mëngjesit. Në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës, duke i ekzekutuar të gjithë djemtë dhe burrat shtëpi për shtëpi.

Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë.

Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja dhe pas luftës trupat e masakruar të tyre, disa u gjetën nëpër varreza masive nëpër Kosovë kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi.