I është dhënë lamtumira e fundit 48- vjeçarit nga Podujeva, Sevdail Rrustemi, i cili vdiq në aksidentin e së dielës në Kroaci, raporton Llapi.info.

Varrimi i tij është bërë në varrezat e fshatit Pakashticë të Epërme, ku në ceremoni morën pjesë familjarë, miq e qytetarë të tjerë. Në varrim ishte edhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe deputetë llapjanë.

Sevdail Rrustemi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të aksidentit të një autobusi që bartte mërgimtarë nga Gjermania për në Prishtinë. 48-vjeçari në autobus ishte së bashku me bashkëshorten dhe dy djemtë e tij, këta të fundit që mbetën të lënduar.

Gjatë ditës së sotme në Kosovë kanë arritur edhe trupat e viktimave të tjera nga ky aksident që padyshim ishte një nga tragjeditë më të mëdha për të gjithë vendin

Dhjetë persona me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe mbi dyzet u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod. Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë./Llapi.info