Varfëria shtyri kosovarët të shesin qelizat seksuale për 500 euro

Shitje sistematike e materialit gjenetik (qelizave seksuale) besohet që ka ndodhur në klinikën “Global Hospital”, pronare e së cilës është mjekja Gjina Zeqiri, shkruan sot Koha Ditore.

Femra dhe meshkuj të shtyrë nga gjendja e rëndë ekonomike, në bazë të aktakuzës të cilën e ka ngritur Prokuroria Themelore, dyshohet që në vazhdimësi kanë shitur qelizat reproduktive, spermën, përkatësisht vezoret.

Në shkëmbim të materialit gjenetik ata kanë marrë vlera të ndryshme parash, që silleshin nga 500 deri në 800 euro.

Në aktakuzën të cilën e ka siguruar edhe “Koha Ditore”, e pandehura Gjina Zeqiri, e cila është në arrati, dhe mjekët të cilët në mënyrë të vazhdueshme kishin ardhur nga Turqia në Kosovë, Ersan Donmez dhe Handan Naml, besohet që kanë kryer veprën penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor.