Virgil van Dijku beson se fitorja e Liverpoolit në gjuajtje të penalltive kundër Chelseat, në Super Kupën e UEFA-s, ishte një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për “Reds”, të cilët synojnë tituj edhe këtë sezon.

Liverpooli u shpërblye me trofeun më të madh të Evropës sezonin e kaluar, pasi triumfoi kundër Tottenhamit në finale të Ligës së Kampionëve. Ata vazhduan me trofe në Evropë të mërkurën, kur e mposhtën Chelsean në penallti, pasi koha e rregullt u mbyll 2:2, transmeton Gazeta Express.

Fitorja e së mërkurës nuk erdhi lehtë, pasi që skuadra e Frank Lampardit ishte në formë të mirë dhe ishte në epërsi kur përfundoi pjesa e parë e ndeshjes.

Liverpooli u kthye në pjesën e dytë dhe e barazoi rezultatin. “Të kuqtë” e morën kontrollin e ndeshjes, por u detyruan të luftojnë edhe në pjesën shtesë, para se të fitonin në gjuajtjet e penalltive.

Dhe Van Dijku thotë se fitorja e edhe një trofeu tjetër në një garë kaq të ngushtë do të dëshmohet si mësim shumë i mirë për skuadrën në të ardhmen.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme. Mendoj me të vërtetë se është e rëndësishme – për zhvillimin e skuadrës, për progresin tonë”, u shpreh Van Dijk.

“Të fitosh trofe është e rëndësishme për mentalitetin. Ne e arritëm këtë në rrugën e vështirë”.

Qendërmbrojtësi holandez thotë se ai erdhi në Liverpool për të fituar trofe dhe shtoi se çdo sukses e bën një tjetër sukses më lehtë të arritshëm.

“Mendoj se para se të bashkohesha, me vendimin tim solla edhe disa qëllime. Këta gjëra ishin pjesë e qëllimeve të mia – fitorja e trofeve ishte pjesë e vendimit tim”, shtoi ai.

“Ti duhet ta shfrytëzosh çdo mundësi për të fituar trofe. Ky është gjithmonë qëllimi dhe fitoret e bëjnë më të lehtë suksesin për herën tjetër”.

Liverpooli e nisi me këmbë të mbarë sezonin e ri të Premierligës, duke triumfuar kundër Norwichit me rezultat 4:1. Skuadra e Jurgen Kloppit do të tentojë të vazhdojë me këtë hap edhe të shtunën, kur do t’i shkojë si mysafir Southamptonit.