Po kontribuon për dy ekipe dhe me të dyjat po e kërkon titullin. Diamanti i Llapit, Valmir Veliu po vazhdon me suksese kur kampionati ka hyrë në fazën finale.

Përderisa me juniorët e Llapit është në pozitën e parë, me seniorët e kësaj skuadre ndodhen në vendin e trete me vetëm dy pikë më pak se dy skuadrat e para dhe me gjasa reale për titull.

18-vjeçari Veliu është bërë pjesë e pandashme e të dy ekipeve. Përderisa në fundjavë i siguroi fitoren seniorëve të Llapit ndaj Gjilanit me golin në fund të takimit, Veliu e udhëhoqi drejt fitores edhe ekipin e juniorëve në mesjavë në derbi ndaj 2 Korrikut.

Gol andej e gol këndej, Llapi tashmë ka fituar një super-futbollist, i cili në këtë moshë ka fituar zemrat e tifozëve dhe është shndërruar në njërin prej lojtarëve më të mirë të klubit.

Për formën e mirë ka folur vet Veliu, i cili i është falënderues të gjithë atyre që kanë punuar me të.

“Po kaloj një formë shumë të mirë. Për këtë meritojnë falënderim të gjithë ata që kanë punuar me mua. Jemi në hap të mirë me të dy ekipet dhe do të bëjmë përpjekje maksimale që t’ia dalim. Por, fokusi i madh është te skuadra e parë ku po bëhet një punë e madhe profesionale në krye me trajnerin, Tahir Batatina”, theksoi Veliu për Gazetasheshi.com.

Llapi të shtunën do të jetë mysafir i Drenicës dhe Veliu pritet të startojë nga minuta e parë.

Veliu është pjesë edhe e Kosovës U21.