UT ngelet pa ‘hise’ në ish kazerëm e Ilindenit!

Komuna e Çairit, fillimisht Universitetit të Tetovës, konkretisht studimeve të disperzuara në Shkup ia ndau një pjesë të tokës te ish kazerma Ilinden, kurse tani si thuhet se po i njëjti vend do t’i jepet Universitetit të Shkupit.

Studentët e studimeve të disperzuara në Shkup, ndjehen të tradhtuar pasi që ata sërish do të ngelen në kushtet e vështira për të përfunduar studimet.

“Me sa kemi informacion ne, në Universitetin e ri nuk do të jenë drejtimet që i kemi në UT. Neve do na lënë në një çerek objekti që ndajmë me filloristë, kjo nuk është e drejtë, na u premtua ish kazerma, atje ka vend edhe për një objekt më të madh sesa ky që ndodhemi tani”, thonë studentët e UT-së.

Nga ana tjetër nga komuna e Çairit, Rami Qerimi bën të ditur se me themelimin e USHSH, bie premtimi që është dhënë për parcelën në ish kazerma të ndërtohet objekt për studimet e disperzuara të UT-së.

“Në ish kazermën Ilinden nuk do të ketë objekt për UT pasi që tani aty do të jetë USHSH”, tha për Portalb, Qerimi.

Ndërkaq para një viti u promovua ideja e projektit për adaptimin e një pjese të parcelës tokësore të kazermës ”Ilinden” për ndërtimin e kampusit universitar të Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë.

Atëherë kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti shprehi kënaqësi në emër të qytetarëve të Çairit që filozofia e shndërrimit të kazermës në universitet do të bëhet realitet.

Nga ana tjetër studimet e disperzuara të UT-së në Shkupit vazhdojnë të qëndrojnë në hapësirat e shkollës fillore “Kongresi i Manastirit”.