Forcat Ajrore të SHBA-së kanë dhuruar “spektakël” duke ngritur në ajër më shumë se 50 aeroplanë luftarakë të armatosur deri në dhëmbë – bëhet fjalë për modelin Lightnin II që u ngritën në qiell pas rritjes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

52 fluturaket F-35 A që në total kapin vlerën e 2.4 miliardë dollarëve, u ngritën në ajër nga baza ajrore Hill në Utah të SHBA-ve, transmeton Telegrafi.

Ky ushtrim është kryer nga brigadat aktive dhe shfaqën aftësitë e tyre luftarake me F-35 A, që mund të “zbarkojnë” në çdo moment në çdo cep të botës.

Ushtrimi ishte paraparë të mbahet më vonë, por një gjë e tillë ndodhi në javën e njëjtë kur Shtetet e Bashkuara kryen sulmin me dron ndaj gjeneralit iranian Qassem Soleimani, që u vra në aeroportin ndërkombëtar të Bagdadit në Irak

Aeroplanët ishin armatosur me të gjitha municionet e nevojshme, ndërkaq sipas zyrtarëve të lartë ushtarakë ata janë të gatshëm të fluturojnë, luftojnë dhe fitojnë.

Kujtojmë që secila fluturake e këtij lloji kushton 89.2 milionë dollarë, ndërsa ata janë vendosur në bazën ajrore Hill katër vite më parë. Prej atëherë këta aeroplanë manovrohen nga pilotë me përvojë që janë të gatshëm të nisen në beteja, dhe qoftë nevoja të përkrahin këmbësorin në konflikte në Lindje të Mesme.

Aeroplanë të tillë janë dërguar për herë të parë në Lindje të Mesme gjatë vitit të kaluar, dhe aktualisht qëndrojnë në bazën ajrore Al Dhafra në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas zëdhënësit të forcave ajrore te SHBA-së, këta aeroplanë kanë marrë pjesë në operacionet ajrore në përkrahje të aleatëve në luftën kundër organizatës terroriste e njohur si “Shteti Islamik”.

Sipas ekspertëve këta janë aeroplanët më të avancuar ushtarak që ndonjëherë janë ngritur në qiell. Ata përdorin teknologjinë unike që u mundëson të fluturojnë nëpër hapësirën ajrore të armikut dhe të mos detektohen nga radarët. Ajo çfarë i bënë unik është aterimi i tyre dhe ngritja në formë vertikale.