Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se kushdo që cenon arritjen e paqes në Ballkan, përfshirë kundërshtarët e Rezolutës 1244, do të shpallen persona non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Biden ka lëshuar një urdhër ekzekutiv për bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara ndaj personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor, shkruan Reporteri.net.

“Zyrtarët që duan të mbetën miq të SHBA-së duhet patjetër t’i respektojnë Marrëveshjen e Ohrit (2001), Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Marrëveshjet e Dejtonit; ose Konkluzionet e Këshillit të Konferencës për Zbatimin e Paqes të mbajtur në Londër në Dhjetor 1995”, u tha në njoftimin që u lëshua dje nga Shtëpia e Bardhë.

Pas këtij vendimi ka reaguar edhe ambasada amerikane në Prishtinë, të cilët përmes një postimi në Facebook thanë se korrupsioni dëmton politikën e jashtme, sigurinë kombëtare dhe shëndetin ekonomik të SHBA-ve dhe aleatëve të saj,

“Korrupsioni dëmton politikën e jashtme, sigurinë kombëtare dhe shëndetin ekonomik të Shteteve të Bashkuara, partnerëve tanë dhe aleatëve tanë. Dje, Presidenti Joe Biden nënshkroi një Urdhër të ri Ekzekutiv që modernizon regjimin e sanksioneve të Ballkanit Perëndimor për të pasqyruar shqetësimet e sundimit të ligjit. Ai siguron mjete të reja për t’iu përgjigjur kërcënimeve më serioze ndaj stabilitetit në të gjithë rajonin – korrupsioni, veprimet që minojnë qeverisjen demokratike dhe abuzimi serioz i të drejtave të njeriut”, thuhet në reagim.