Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili para delegatëve të PDK-së në Konventën Zgjedhore ka kujtuar dy themeluesit e këtij subjekti politik të cilët janë në Hagë, Hashimin Thaçi dhe Kadri Veselin.

Në mungesë të tyre, sipas Ismailit, nuk është një konventë e zakonshme por thotë se për ta duhet të jenë të bashkuar dhe të vëmendshëm.

“Kjo nuk është një konventë e zakonshme as një situatë e lehtë. Të gjithë jemi me emocione të përziera. Vështirësia që ndodhemi për shkak të një imponimi nga jashtë kemi mbetur pa lider. Ne duhet të jemi të vëmendshëm për të tashmen dhe të ardhmen. Dy themeluesit dhe frymëzuesit jo vetëm të partisë por edhe të Republikës së Kosovës, Hashim Thaci dhe Kadri Veseli presin këtë nga ne. Ashtu siç do ti presim edhe na ata, me punë dhe të bashkuar. Është një situatë dhimbje por edhe përgjegjësi e madhe. PDK nuk mund ta gjunjëzoi askush përballë krenarisë dhe vlerave që kemi. UCK është prejardhja jonë dhe të gjithë e dinë peshën e saj.. Historia e PDK-së për të cilën jemi krenar nuk është pa sfida, dobësimi ynë ka qenë qëllim i të tjerëve, por të qenurit  bashkë arritët vizioni ynë. Kur ndalet PDK ndalet Kosova, ruani njeri-tjetrin e mos u ndani”, tha Ismaili.

Në Konventën e PDK-së po marrin pjesë 794 delegatë të PDK-së.

Deri me tani kandidaturën e ka shpallur zyrtarisht vetëm Memli Krasniqi.

Procesi për zgjedhjen e të parit të PDK-së i paraparin kohës para zgjedhjeve lokale që të mbahen më 17 tetor të këtij viti si dhe ndryshimeve që pësoi udhëheqja e saj që nga fundi i vitit të kaluar.

PDK-ja është drejtuar nga Enver Hoxhaj, deputet i PDK-së, si Ushtrues i Detyrës së kryetarit, pas shkuarjes në Hagë të Kadri Veselit, në nëntor të vitit të kaluar, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ngritur nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.