Ukraina, përfundojnë bisedimet në Moskë nuk ka marrëveshje konkrete

Ukraina, përfundojnë bisedimet në Moskë nuk ka marrëveshje konkrete

Kanë përfunduar pa ndonjë marrëveshje konkrete 5 orë bisedime në Moskë, mes Presidentit francez Francois Hollande, Kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit rus Vladimir Putin, për t’i dhënë fund luftimeve në lindje të Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peshkov tha se udhëheqësit kishin rënë dakord për zhvillimin e bisedimeve ‘konstruktive’ për të vazhduar punën drejt një dokumenti të përbashkët për zbatimin e një marrëveshje armëpushimi, e cila ishte arritur në bisedimet e Minskut në shtatorin e kaluar, por më pas u shkel nga palët.

Putin, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Francois Hollande do të bisedojnë të dielën përmes telefonit, ka thënë Peshkov, duke shtuar se në bisedime do të marrë pjesë edhe Presidenti ukrainas Petro Poroshenko.

Hollande dhe Merkel paraqitën në Moskë një plan të ri paqeje për t’i dhënë fund shkallëzimit të luftimeve mes forcave ukrainase dhe separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës. Para takimit zonja Merkel tha se nisma që ajo dhe Hollande po paraqesin në Moskë synon të mbrojë paqen europiane. Ajo tha se të dy udhëheqësit po bëjnë gjithçka të mundur për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Ukrainë.

Rusia akuzohet për armatosjen e separatistëve, një akuzë kjo e mohuar nga Kremlini. Më shumë se 5400 njerëz janë vrarë që prej muajit prill ë vitit të kaluar, sipas OKB-së.

Në Minsk të Bjellorusisë, në shtator të vitit të kaluar, u nënshkrua një marrëveshje armëpushimi mes palëve për të ndaluar dhunën. Që prej asaj kohe rebelët kanë avancuar duke marrë nën kontroll sipërfaqe të mëdha në Ukrainën Lindore