Nga refugjatë në stol te njëri nga stadiumet më legjendare në Itali dhe jo vetëm.

Fjala është për talentin nga Gambia, Ebrima Darboe i cili ka bërë ëndrrën e tij realitet, duke u grumbulluar për herë të parë nga Roma.

Mesfushori i talentuar kishte mbërritur në Itali në vitin 2017 pas një rrugëtimi të gjatë nga shteti i tij Gambia.

Darboe kishte kaluar gjashtë muaj rrugëve për të mbërritur në Sicili nga Gambia, një rrugëtim me shumë vuajtje.

Në atë kohë Darboe ishte i mitur dhe i vetëm pa prindërit e tij gjatë rrugëtimit gjashtë mujor.

Me të mbërritur në Itali ai ka stërvitur për një vit e gjysmë me të rinjtë e Romës, por pa pasur të drejtë loje për shkak disa procedurave burokratike pasi ai nuk kishte fare dokumente.

Darboe debutimin me të rinjtë e Romës s bëri vetëm në muajin janar të këtij viti, në ndeshjen ndaj Atalantës ku luajti 20 minuta.

Afrikani ngadalë e ka zënë një vend titullari tek Roma U19 dhe është bërë shumë i rëndësishëm në pozitën e mesfushorit qendror.

Në mungesë të shumtë lojtarëve të lënduar, trajneri i Romës, Paulo Fonseca e ka ftuar Darboen në ekipin e parë për ndeshjen ndaj Milanit dhe lojtari ishte në bankën rezervë.

Roma e ka shpërblyer lojtarin me një kontratë katër vjeçare, ku Darboe fiton 80 mijë euro pagë vjetore.

Djaloshi i talentuar vazhdon ta mbajë familjen e tij në Gambia me pagën te Roma, derisa në Itali shkruajnë se ai pritet së shpejti të debutoj në Serie A.

Një sakrificë e madhe, vuajtje të pafundme, por në fund gambiani ka arritur qëllimin e tij, është bërë pjesë e një klubi gjigant dhe e ardhmja është në duart e tij. /Telegrafi/