Emri i tij kohët e fundit është lakuar si kandidat i mundshëm për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës, por Gent Cakaj ka mohuar një gjë të tillë.

Ish-ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka sqaruar lidhur me spekulimet mediatike se ai mund të jetë njëri nga kandiatët për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës.

Cakaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nuk synon të bëhet pjesë e asnjë partie politike në Kosovë.

Postimi i plotë i Cakajt:

“Një sqarim i vogël:

E para, ashtu siç e kam sqaruar disa herë tashmë,

unë nuk jam dhe nuk synoj të bëhem pjesë e asnjë partie politike në Kosovë. E dyta, unë jam tërhequr përkohësisht nga jeta publike deri në një vendim tjetër, për të cilin, me siguri, do t’iu njoftoj personalisht!

Ju uroj çdo të mirë në ndërkohë e mirëmbeteshi”, ka shkruar Cakaj.

Ndryshe, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës të hënën ka marrë vendimin për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Konventa e partisë është caktuar më 3 korrik 2021, ditë e shtunë, kurse këtij vendimi i ka paraprirë një debat i gjatë në të gjitha nivelet e partisë që ka filluar pas përfundimit të zgjedhjeve të 14 shkurtit. /