Turqia është vendi i dytë me bletarinë më të zhvilluar në botë pas Kinës, tha kreu i një asociacioni bletarësh në Turqi.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA) me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Bletëve, Selcuk Solmaz, kryetar i Asociacionit të Bletarëve të Ankarasë, tha se Turqia “është një nga disa vendet e rralla të vetëmjaftueshme në bletari”.

E themeluar në vitin 2003, asociacioni synon të trajnojë bletarët, të diskutojë vështirësitë e profesionit dhe të gjejë zgjidhje për të prodhuar produkte të ndryshme nga bletët në mënyrë më pjellore dhe me cilësi të lartë, shpjegoi Solmaz.

Ai tha se Turqia është gjithashtu një nga vendet e pakta me bimë të ndryshme të mjaltit dhe prodhim me cilësi të lartë të mjaltit.

“Mjalti turk po bëhet i kërkuar në kuzhinën botërore”, tha Solmaz.

Solmaz shtoi se këto përfshijnë shumë lloje.

“Llojet përfshijnë gështenjën, trumzën, agrumet, pishën, livandën, akacien, bimët malore dhe mjaltin e lules së egër”, njoftoi Solmaz.

“Kohët e fundit, bletarët në Turqi kanë filluar të prodhojnë pelte mbretërore, polen, propolis dhe helm të bletëve”, shtoi ai.

Solmaz tha se ekzistojnë rreth 118 mijë koshere bletësh në kryeqytetin turk Ankara, krahasuar me rreth 50 mijë në vitin 2003.

“Kjo tregon se sektori i bletarisë po zhvillohet dita ditës”, tha ai.

– Kontributi në ekonomi.

Sipas Entit Statistikor të Turqisë (TurkStat), vendi ka prodhuar afër 108 mijë ton mjaltë në vitin 2018 dhe ka eksportuar 5 mijë e 912 ton në të njëjtën periudhë.

“Kjo është gjithashtu e dobishme për bujqësinë organike dhe të pastër”, tha Solmaz.

Sipas tij, bletët lidhen drejtpërdrejt me sigurinë ushqimore, bujqësinë e qëndrueshme dhe biodiversitetin.

“Sipas një studimi të kryer nga ‘Shkenca dhe Politika për Njerëzit dhe Natyrën’ (IPBES) në vitin 2016, prodhimi i ushqimit me anë të pjalmimit dhe pllenimit kushton rreth 235 deri në 577 miliardë dollarë në vit”, vuri në dukje ai.

“Nëse bletët zhduken, shumë krijesa të gjalla do të zhduken. Nëse duam të jetojmë, nëse duam që fëmijët dhe nipërit tanë të jetojnë, ne duhet të japim përpjekjet më të mëdha për t’i mbajtur bletët gjallë”, shtoi Solmaz.

Ai tha se bletaria duhet të zhvillohet jo vetëm për të ruajtur ekosistemin, por edhe për një përdorim më të mirë të bimëve me jetëgjatësi të shkurtër.

Kombet e Bashkuara kanë caktuar 20 majin si Ditën Botërore të Bletëve për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e pjalmuesve, siç janë bletët, fluturat dhe kolibrat, kërcënimet me të cilat përballen dhe kontributin e tyre në zhvillimin e qëndrueshëm.