Shtrirë në dy kontinente, me detin që ndanë dhe urat që lidhin, Stambolli është adresë e miliona turistëve.

Mbi një vit e ca bota përballet me pandeminë e COVID-19 që ka lënë pasoja; duke marrë jetë e duke ndikuar në mënyrën e të jetuarit.

Ndonëse në një mënyrë ndryshe të të bërit jetë, njerëzit anembanë botës për t’i shmangur ditët e gjata të izolimit, kanë gjetur një të “çarë” edhe për pushime e vizita turistike.

Këtë e kanë mundësuar shtete të ndryshme – me gjithë peripecitë.

Ngjashëm po bën edhe Turqia. Autoritetet përgjegjëse janë duke punuar që të tërheqin vizitorë edhe për sezonin 2021.

Është Agjencioni për Promovim dhe Zhvillim të Turizmit – TGA në kuadër të Ministrisë së Kulturës që angazhohet për promovimin e pikave turistike që ka Turqia, e të cilat mund të jenë atraksion për turistët, qoftë vendorë apo ata ndërkombëtarë.

E para dhe mbi të gjitha është siguria – shëndeti i tyre.

Dhe, për këtë Ministria e Kulturës dhe Ministria e Shëndetësisë e Turqisë kanë nisur procesin e vaksinimit të punëtorëve turistikë.

Programi i vaksinimit “Certifikata për Turizëm të Sigurt” nisur më 2020 e që pritet të përmbyllet para nisjes së sezonit turistik për vitin 2021, synon që të mirëpresë turistët dhe t’u ofrojë atyre siguri shëndetësore.

Si rrjedhojë, forcës punëtore turistike i është dhënë përparësia për vaksinim.

Në vitin 2020, Turqia u vizitua nga 50 milionë turistë, derisa sivjet me masat e marra ky numër pritet të jetë dukshëm më i lartë.

Terreni është përgatitur.

Është shteti turk që javë më parë ka organizuar takimin  “B2B” të vendimmarrësve kryesorë globalë të industrisë së turizmit.

Qëllimi i këtij takimi të mbajtur në Stamboll ishte ngritja e sigurisë për turistët më kohë pandemie, që përfshihet në programin “Certifikata për Turizëm të Sigurt”.

Gjeografikisht e shtrirë në dy kontinente, Turqia ka aq destinacione turistike, sa që miliona turistë e kanë zgjedhje të parë.

Një miks kulturash, simbiozë e të vjetrës me të renë – kultura, arti, moda dhe moderniteti hasen edhe nëpër hapësira e kënde që nuk janë larg njëra-tjetrës.

E tillë është kryeqendra – Stambolli, që është pikënisja drejt shtigjeve të tjera turistike përbrenda Turqisë e të cilat janë të shumta.

GoTurkyie!

Pallati Topkapi, i nisur së ndërtuari më 1459 dhe përfunduar më 1960, është një prej muzeve më të mëdhenj të Stambollit. Në shekujt 15 dhe 16 ka shërbyer si rezidencë dhe seli administrative e sulltanëve otomanë.

Kështjella Gallata, e ndërtuar më 1348, ka qenë ndërtesa më e lartë në Stamboll në kohën kur është ngritur. Ajo ka një lartësi prej 62.59 metra dhe qëllimi i ndërtimit të saj ka qenë vrojtimi.

Xhamia e Sulltan Ahmed, apo e njohur për të huajt si “Blue Mosque” (Xhamia e kaltër). Xhamia është ndërtuar në mes vitesh 1609-1616 gjatë kohës së sundimit të sulltanit Ahmed. Karakteristikë e saj janë gjashtë minaret që qëndrojnë mbi të.

Xhamia e Aya Sofia, e ndërtuar në vitin 537, fillimisht ka shërbyer si katedrale. Me rënien e Konstandinopolit (Stambollit të sotëm) në duart e Perandorisë Otomane ajo është shndërruar në xhami. Më 1935 ka qenë kthyer në muze, ndërkaq në vitin 2020 përsëri është funksionalizuar si xhami.

Xhamia e Selimiye është simbol i qytetit turk të Edirne. Ajo është ngritur mes vitesh 1568 – 1575. Ajo është ndërtuar nga Sulltan Selimi II, ndërkaq arkitekt ka qenë Mimar Sinan. Ky objekt llogaritet si një nga arritjet më të mëdha të arkitekturës islame dhe arkitekturës otomane.

Sinagoga e Madhe e Edirne; është e ndërtuar në vitin 1906. Ajo është sinagoga e dytë më e madhe anembanë Evropës.