10 persona janë dërguar në qendrën spitalore të Basel-it, pasi u lënduan gjatë një fluturimi nga Prishtina për në qytetin zviceran.

Sipas pasagjeres Mirjeta Basha turbulencat e aeroplanit kanë filluar 30 minuta pas nisjes dhe problemet kanë vazhduar për disa minuta radhazi.

“Unë isha e bindur se do të rrëzohet gjithë aeroplani. Isha e frikësuar për vdekje”, thotë Mirjeta e cila jeton në kantonin e Aaragau-s.

Tutje ajo tha se pasagjerët e tjerë kishin filluar të bërtasin dhe të qajnë.

“Disa edhe u përvëluan nga uji i nxehtë”, tha ajo.

Madje një prej personave që pësoi lëndime nga djegia ishe edhe burri i saj, me të cilin kishin vizituar familjarët në Prishtinë.

Ajo gjithashtu tha se pjesëtarët e ekuipazhit gjithmonë porositnin që të jenë të qetë dhe se nuk duhet të kenë frikë.

Viviene Gaskell, zëdhënësja e aeroportit ‘Euro’ konfirmoi rastin në fjalë për 20minuten, ku tha se në këtë aeroplan ishin 121 pasagjerë, kurse 10 prej tyre morën lëndime, si pasojë e turbulencave.

Ajo tha se nuk mund të japë detaje tjera dhe se për këtë duhet të qartësohet linja ajrore përgjegjëse, ‘ALK Airlines’.

Të tjerë pasagjerë deklaruan se nga turbulencat e fuqishme edhe ulëset e aeroplanit lëvizën nga vendi, ndërsa në aeroportin e Basel-it arritën në ora 21:55./

Klikoni këtu për video