Një patrullë ushtarake amerikane ka bllokuar një kolonë ushtarake ruse që të përdorë një autostradë kryesore në veri-lindje të Sirisë dy ditë më parë.

Një numër i fotove të publikuara në mediat sociale kanë përshkruar automjete amerikane Oshkosh M-ATV që ndërhyjnë dhe bllokojnë automjete të blinduara ruse, përgjatë rrugëve strategjike në verilindje të Sirisë, transmeton Telegrafi.

Një kolonë ushtarake ruse u përpoq të kalonte një pikë kontrolli amerikan, por ngeci në baltë në një fushë.

Automjetet e blinduara ruse Tigr dhe transportuesi i blinduar i personelit BTR-82A u përpoqën të anashkalojnë pikën e kontrollit, por ngecën në baltë dhe u desh të nxirrej me një automjet të blinduar me rrota Typhoon-K.

Sipas informacionit të mediave lokale, ushtarët amerikanë bllokuan një patrullë ushtarake ruse gjatë rrugës në fushën e naftës.

Karvani rus ishte duke u përpjekur të arrinte një pikëkalim kufitar midis Sirisë dhe Irakut, që është nën kontrollin e Forcave Demokratike Siriane (SDF) të mbështetur nga SHBA.

Pasi ushtria turke dhe militantët aleatë sirianë filluan një ofensivë kundër luftëtarëve SDF në tetor të vitit 2019, Rusia, një përkrahës i vendosur i regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad, ndërmori masa për të rritur praninë e saj ushtarake në verilindje të Sirisë pas një vendimi të SHBA për tërheqjen e trupave nga pjesë të zonës kufitare midis Sirisë dhe Turqisë.