“Trio Celebre” sjell magjinë e klasikes së popullarizuar

“Trio Celebre” sjell magjinë e klasikes së popullarizuar

Një lëvizje me kokë e më pas frymëmarrja e thellë është shenja se Antonio Gashi në violonçel, Venera Mehmetagaj – Kajtazi në flaut dhe Lule Elezi në piano, janë gati për koncert.

Ansambli “Trio Celebre”, të mërkurën mbrëma, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, sollën pesë vepra të kompozitorëve të ndryshëm, në mesin e tyre edhe të një kompozitori shqiptar.

Koncerti u hap me “Trio op. 119” të kompozitorit danez me origjinë gjermane Friedrich Kuhlau. E kompozuar më 1832, në vitin e fundit të jetës së kompozitorit, shumë shpejt u bë pjesë e repertorit të ansambleve të ndryshme kamertale dhe më pas edhe për formacionin piano, flaut dhe violonçel. Konsiderohet si një prej veprave më të bukura kamertale të kompozitorit dhe është e ndarë në tri kohë.

Muzikologia Rreze Kryeziu këtë vepër e përshkruan si një pjesë të “mbushur me muzikë që nga seksioni i parë e deri në finale”. Pas kësaj vepre në vend të Mehmetagaj – Kajtazit në skenë u ngjit klarinetisti Shkumbin Bajraktari, i cili ishte mysafir special i trios, për të interpretuar “Trio op. 11” të Beethovenit, e kompozuar në vitin 1797 dhe që konsiderohet si ndër ta parat të shkruara për formacion që ka në përbërje edhe instrumentet frymore prej druri të cilat përdorimin e tyre më të shpeshtë e gjetën pikërisht në kohën e klasicizmit.

Vepra, siç e përshkruan Kryeziu, është më fort popullore sidomos me kohën e tretë e cila përmban edhe melodinë “Before I go to work” e marrë nga një dramë e popullarizuar komike dhe e përdorur edhe nga disa kompozitorë të tjerë”. Publiku që mbushi gjysmën e sallës së Teatrit Kombëtar, me duartrokitje e përshëndeti interpretimin e dy veprave të para. Pasi që lëshuan skenën, “Trio Celebre” pas një pauze shumë të shkurtër u rikthyen për të sjellë edhe tri vepra të tjera.

“Obvilion” e Astor Piazzollas ishte e radhës. Vepra e këtij kompozitori, i njohur për krijimtarinë e tij që ia kushtoi tangos tradicionale argjentinase, ishte incizuar për herë të parë në vitin 1982 si kolonë zanore për filmin “Enrico IV”. Njëri nga aranzhimet më të suksesshme të kësaj vepre konsiderohet ai për piano, violonçel dhe flaut. “Trio.op 78” e kompozitorit gjerman Johann Nepomuk Hummel, i cili njihet si përfaqësues i fundit i klasicizmit dhe i filleve të romantizmit, ishte vepra e parafundit.

Ndërsa krejt në fund katër instrumentistët u ngjitën në skenë për të sjellë veprën e fundit në program, “Valë mbi dallgë” të kompozitori të njohur shqiptar Tish Daia, i cili vuri themelet baletit shqiptar por që njihet edhe si ndër pedagogët e parë profesionistë në edukimin muzikor. Krejt kjo u përcoll me duartrokitje të ngrohta nga publiku. Ky ishte koncerti i parë i turneut në tri qytete të “Trio Celebre”.

Pas Prishtinës, të enjten, ata koncertuan në Pejë, ndërsa të premten (sonte) do të mbajnë koncert edhe në Prizren. Turneu është pjesë e një projekti që kishte nisur para një viti në mes të trios – e cila përbëhet nga tre profesorë të Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës njëherësh edhe instrumentistë të dalluar në Kosovë – dhe muzikologes Rreze Kryeziu. ‘Trio Celebre’ ekziston që nga vitit 2012.

Kemi qenë tre kolegë nga Fakulteti të cilët jemi mbledhur dhe kemi vendosur ta bëjmë një trio e cila do të perfomonte këtë lloj programi që është për flaut, çello dhe piano. Mendoj se ai fluidi që na lidh, e tregon edhe ngrohtësinë e publikut, i cili na përshëndet gati në secilin koncert”, ka thënë Antonio Gashi, teksa ka treguar se ky është një ansambël për vepra të kufizuara. “Nuk është se ka shumë vepra të kompozuara për këtë lloj ansambli por ne mundohemi që t’i përshtatim.

Ndonjëherë flautit i bie pjesa e violinës dhe kështu i lidhim disa vepra. Por mund të them se deri më tani kemi pasur sukses të madh në vende të ndryshme”, ka shtuar ai.

E Venera Mehmetagaj – Kajtazi ka thënë se kanë përzgjedhur veprat më të mira për të interpretuar dhe është ndarë e kënaqur me atë që kanë arritur të sjellin në skenë bashkë me mysafirin e tyre.
“Ishte një koncert i mirë. I kemi përzgjedhur pjesët më të bukura me të cilat kemi pasur suksese aty ku kemi koncertuar. Konsiderojmë se janë vepra më të afërta për veshin e publikut e që mund t’i pëlqejnë secilit.

Kështu që mendoj se edhe publiku është ndarë i kënaqur”, ka thënë Mehmetagaj-Kajtazi.
Rreze Kryeziu ka thënë se ideja e këtij turneu ka qenë që të sjellin një mbrëmje muzikore në qytete ku një gjë e tillë mungon.

“Qysh vitin e kaluar ne kemi biseduar për të realizuar një projekt të përbashkët ku synimi ynë ka qenë të bëjmë një turne koncertal dhe ta zhvendosim koncertin në vende të ndryshme të Kosovës. Thënë të drejtën ne kemi dashur t’i prekim disa vende të tjera të Kosovës, sepse e dimë se shumica e aktiviteteve fokus e kanë Prishtinën dhe kemi dashur ta zhvendosim në qytete të tjera”, ka thënë Kryeziu.