Tre ekspertë të komunikacionit janë caktuar për të hetuar shkaqet dhe fajësinë për aksidentin tragjik në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan, afër fshatit Mramor, ku vdiqën katër anëtarë të një familjeje nga Gjilani.
Këtë e ka bërë të ditur kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka.

Kryeprokurori Beka tha se rezultati i ekspertizës së komunikacionit, me anë të së cilës përcaktohet fajësia, do të dalë nesër (e hënë).

“Prokurori kujdestar i rastit më tha se urgjent i ka caktuar tre ekspertë të komunikacionit. Nuk është e zakonshme të caktohen tre, por për shkak të rastit i ka caktuar ekspertët. Kjo ekspertizë, do të përcaktojë fajësinë, pasi kjo tregon kush ku ka qenë në momentin e ndeshjes dhe rezultati i saj do të dalë nesër”, tha Beka për kallxo.com.

Sipas tij, varësisht nga rezultatet e ekspertizës, mund të ketë persona të ndaluar për shkaktim të aksidentit fatal.

“Nëse ka fajësi dhe në anën tjetër, do të ketë të ndaluar, nëse jo nga kjo ana tjetër e të aksidentuarve, personi që ka vozitur ka vdekur”, theksoi Beka.

Kryeprokuori shtoi se përveç ekspertizës së komunikacionit do të bëhet edhe ajo mjeko-ligjore.

“Ekspertiza mjeko-ligjore i përcakton lëndimet nga aksidenti. Ekspertiza e komunikacionit merret më shpejt, ndërsa ajo mjeko-ligjore i ka disa parametra. Lidhur me këtë rast, ajo mjeko-ligjore do të dalë këtë javë që hyjmë ose më vonë”, përfundoi Beka.

Në aksidentin tragjik të së premtes, në rrugën Prishtinë-Gjilan ishte përfshirë edhe eskorta e ambasadores së Turqisë në Kosovës, Kivilcim Kiliç.

Ambasadroja Kiliç nga QKUK-ja është dërguar në Turqi për mjekim të mëtejshëm, për shkak të lëndimeve që ka pësuar nga aksidenti.