Trajneri i Paris Saint-Germain, Thomas Tuchel, ka thënë se Neymarit i mungoi ritmi si pasojë e mungesës së ndeshjeve garuese, në humbjen e skuadrës së tij kundër Borussia Dortmundit në Ligën e Kampionëve.

Dygolëshi i Erling Haaland e frymëzoi Dortmundin drejt triumfit 2:1 në shtëpi, në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve të martën, transmeton Gazeta Express.

Neymari e shënoi golin e vetëm të PSG-së në këtë takim, tamam në rikthimin e tij nga lëndimi.

Tuchel e fajëson orarin e ngjeshur të PSG-së dhe lëndimet e shumta të yjeve të skuadrës për humbjen në Signal Iduna Park.

“Kemi luajtur dy herë më shumë ndeshje se Dortmundi në javët e fundit. Kemi pasur shqetësime me lëndimet e lojtarëve kyçë, atyre u mungoi ritmi dhe ashpërsia e garës, siç e pamë me Neymarin”, tha Tuchel për L’Equipe.