Pasi shënoi gol, Festim Alidema nisi festën me shokët. Shpejt ndërroi drejtim. Ktheu kokën nga tribuna kryesore e stadiumit të qytetit në Gjilan.

Me lot në sy, atëbotë lojtari i Vllaznisë së Pozheranit, drejtoi gishtin nga vëllai i tij i vogël, Qëndrimi, i mbijetuari i vetëm i tragjedisë që goditi familjen e tij në muajin korrik të vitit të shkuar.

Në një aksident të rëndë te rrethrrotullimi në hyrje të Prishtinës, mes lagjeve “Lakërishte” e “Dardania”, golashënuesi më i mirë i Llapit këtë stinor, humbi babanë, nënën, axhën dhe gruan e axhës.

Vëllai i tij ishte po ashtu në makinë kur ajo kaloi rrethojat dhe fluturoi nga rrethrrotullimi për dhjetëra metra, por ai shpëtoi vetëm me plagë.