Më 16 korrik 2020, Njësia Speciale e Policisë në Prizren gjatë një aksioni policor në qendër të qytetit, arrestoi pronarin e një lokali bashkë me dy djemtë e tij dhe një punëtor, të cilët duarlidhur u transferuan me furgonin policor në Stacionin Policor në Prizren.

Kjo ngjarje ishte filmuar pjesërisht nga familjarët e të arrestuarve, pamjet e së cilës u publikuan në Gazetën Sinjali. Asokohe kjo ngjarje ishte perceptuar si veprim i ligjshëm i Policisë, ndërkaq të arrestuarit ishin trajtuar si të dyshuar për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “pengim i personit zyrtar”.

Mirëpo, ajo çfarë u pa në publik nuk pasqyroi as për së afërmi të vërtetën e asaj çfarë ndodhi gjatë transportit të të arrestuarve për në stacionin policor dhe brenda tij, shkruan Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka siguruar dëshmi ekskluzive të cilat provojnë torturën dhe trajtimin çnjerëzor që përjetuan Imer Kukaj, 59-vjeçar me dy djemtë e tij, Lirim Lukaj dhe Erion Kukaj, si dhe punëtori i lokalit, Nuel Dushi.

Në materialet e siguruara nga Sinjali pasqyrohet dhuna e ushtruar nga rreshteri Sami Hoti dhe kolegët e tij, derisa katër personat e prangosur transferoheshin me furgonin e Njësisë Speciale për në stacionin policor në Prizren. Hoti me kolegët e tij përveç që treguan muskujt ndaj qytetarëve duarlidhur, ata pareshtur i fyen e i poshtëruan, duke iu kërkuar edhe që të rriheshin “fer”.

Gazeta Sinjali ka mësuar se ky rast ishte denoncuar nga të dëmtuarit në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe të njëjtat materiale i janë dorëzuar hetuesit kompetent, mirëpo eshë sot e kësaj dite nuk është ndërmarrë asnjë veprim ligjor ndaj zyrtarëve policorë, të cilët vazhdojnë të jenë pjesë e Njësisë Speciale të Policisë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.