“Disa njerëz kanë lindur vetëm që të varrosen”, thotë një sherif i një qyteze duke iu drejtuar një djaloshi nga vetura e tij e patrullës.

Banorët e shëndetshëm të Knockemstiffit, Ohio, rreth 1957-s, kanë për zemër filozofirat, por nuk janë në gjendje t’i thyejnë ciklet e dhunës dhe varfërisë që i qarkojnë ata. Kjo është bota e zymtë e “The Devil All the Time”, i katërti film i regjisorit Antonio Campos, ku personazhet e serta e me armë në brez vijnë nga romani gotik i jugut, i shkruar nga Donald Ray Pollock.

Storia zë fill me rikthimin e një veterani riosh nga Paqësori, i luajtur nga i hirnosuri Bill Skarsgård, të cilin krajatat e shtyjnë drejt manisë fetare. Djali i tij Arvin (Tom Holland) është lastar i një prejardhjeje të palumtur, qysh herët jetim, duke u flakur në shtëpinë e gjyshes bashkë me një varfanjake tjetër të re, Leonora (Shannon Murphy), e kaluara e së cilës zor të jetë më e mirë se e tij.

Vrasjet e dhuna janë të kudondodhura në këtë qytet. Vdekja ndjek në çdo hap personazhet e tij, të rinj e të vjetër, teksa narrativa lëviz prej stories së Arvinit në storiet e përngjashme të banorëve të qytetit.

Knockemstiff dhe mjediset rrotull banohen nga fanatikë të deluzionuar fetarë, predikues të shpërfytyruar, zyrtarë të korruptuar dhe vrasës seksi. Të dalësh i gjallë nga ky film është diçka që mund ta quash sprovë. Aty ka performanca të forta nga një grup aktorësh, veçmas Robert Pattinsoni si një prift evangjelik pedofil. Edhe Tom Holland shkëlqen, duke gjetur brenda pafajësisë së tij djaloshare aftësinë për të rrezatuar një prirje për hakmarrje. “The Devil…” është një vepër e pakompromis. Për çudi, toni i filmit të Camposit është i qetë, paçka se përmbajtja është pabesueshëm e larmishme.

Kjo e lëçit filmin prej prodhimeve më të fundit kineaste të të njëjtit kallëp; të tjerë si “The Paperboy” (2012) i Lee Danielsit apo “Killer Joe” (2011) i William Friedkinit të çojnë drejt një toni që kufizohet me absurden..