Skuadra nga Podujeva është mposhtur në udhëtim te Ballkani me rezultat komod 2-0, në një ndeshje tejet tensionuese të xhiros së pestë në Superligë, raporton Llapi.info.

Nikoqirët nga Suhareka e nisën mirë takimin, ku kaluan në epërsi në minutën e 13’ me anë të Ermal Krasniqit.

Pas golit të pësuar, mysafirët nga Podujeva u munduan të kundërpërgjigjen, duke rrezikuar disa herë portën kundërshtare. Fillimisht Arbnor Ramadani në minutën e 33’, e më pas rastet s’u konkretizuan as nga Kushtrim Shabani dhe Ardit Peposhi.

Me rezultat 1-0 në të mirë të vendasve u mbyll pjesa e parë në Suharekë, e cila u karakterizua edhe me tensione të shumta, pasi tifozët vendas fyen trajnerin e Llapit, Tahir Batatina.

Edhe në pjesën e dytë, ishin llapjanët që patën ofensivën për t’i barazuar shifrat, por pa sukses. Krejt në fund të ndeshjes, ishte sërish Ermal Krasniqi që realizoi për 2-0, për t’i arkëtuar edhe tri pikë të reja për “xhebrailët”.

Pas kësaj disfate, ekipi i drejtuar nga Tahir Batatina ka vetëm dy pikë në pesë xhirot e para dhe pozicionohet në vendin e parafundit, kurse Ballkani ka 11 sosh dhe radhitet në pozitën e parë.

Ndeshjen e radhës Llapi e luan në shtëpi ndaj Drenicës, ndërkohë që Ballkani i shkon Malishevës./Llapi.info