“The Revenant” në Prishtinë

“The Revenant” në Prishtinë [video]

Filmi i nominuar për shpërblimin akademik Oscar, “The Revenant” do të shfaqet edhe për adhuruesit kosovarë të filmave nga e enjtja në të njëjtën kohë me shfaqjen e filmit në kinema të ndryshme evropiane.

“The Revenant” bazohet në histori të vërtetë dhe flet për mbijetesën. Ai e rrëfen jetën e Hugh Glass-it, i cili braktiset në mal nga shokët e tij të gjuetisë, kjo pasi që sulmohet brutalisht nga një ari.

Filmi i zhanrit triller është xhiruar në kushte të vështira në malet me dëborë të Kanadasë dhe në disa lokacione të Argjentinës. Regjisori i tij, Alejandro Gonzalez Inarritu, ka thënë se dyshon që dikush tjetër do të tentojë ta realizojë një film të këtillë.

Brenda dy javëve, prej se ky projekt ka filluar të shfaqet nëpër kinematë e Amerikës dhe Kanadasë, ka arritur ta gëzojë një sukses të mirë, duke u pozicionuar në vendin e dytë të arkave filmike të Amerikës Veriore. Kjo nënkupton se suksesi i tij do të vazhdojë tutje, tashti që ka filluar të shfaqet në mbarë botën, raporton “Express” i KTV-së.

Pavarësisht se është një dramë e errët, e mbushur me skena të dhunshme të luftës për mbijetesë, loja e aktorëve në këtë projekt është vlerësuar lart nga kritikët. Madje, aktori protagonist, Leonardo DiCaprio, po konsiderohet favorit për t’u shpërblyer me Oscar-in e tij të parë në karrierë, pikërisht për interpretimin e mrekullueshëm në këtë film.

Filmi është nominuar në gjithsej 12 kategori, përfshirë këtu kategoritë “Filmi më i mirë” dhe “Regjisori më i mirë”.

Filmi tashmë është shpërblyer në disa çmime kinematografike. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Golden Globes,” filmi mori tri çmime. Ai u shpall “Filmi më i mirë”, Alejandro Gonzalez Inarritu “Regjisori më i mirë” dhe Di Caprio u shpall “Aktori më i mirë”, njëjtë edhe sikur edhe në “Critic’s Choice Awards”.

“The Revenant” do të shfaqet në kinemanë ABC nga ora 19:00.