Thaçi President, mision i (pa) mundur!

Thaçi President, mision i (pa) mundur!

Shkruan: Faik KRASNIQI

Ka kohë që në PDK është duke u zhvilluar një ”luftë ” mes Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, se cili do të jenë në krye të partisë, edhe për një kohë të gjatë. Kjo ”luftë” mes tyre tashmë nuk është diçka sekrete. Hashim Thaçi është në mes të dy dilemave. Nëse zgjidhjet President, atëherë automatikisht e humb kreun e partisë, e cila bie në dorën e dyshit të partisë, Kadri Veselit, njeriut më të fuqishëm në PDK, por edhe në skenën politike të Kosovës. Dhe pas mbarimit të mandatit pesëvjeçar në kreun e Presidencës, Hashim Thaçi do ta ketë vështirë, ose më mirë të them do të një mision i pamundur, për t’u rikthyer lider i partisë. Prandaj, dyshoj që Hashim Thaçi e ka seriozisht postin e presidentit, sepse që në atë moment që zgjidhet president, do të thotë fundi i karrierës së tij politike. Duke marrë parasysh moshën e tij, nuk besoj që edhe aq shumë i intereson posti i presidentit, edhe pse po hiqet si shumë i interesuar që të zgjidhet president i Kosovës. Hashim Thaçi është lojtar shumë i fortë në politikë dhe gjithmonë i bën gjërat të duken ashtu siç i thotë, por në fakt vepron të kundërtën e asaj që thotë. Prej futjes së Kadri Veselit në politikë dhe numrit aq të madh të deputetëve të PDK-së, që vijnë nga radhët e SHIK-ut, kjo parti edhe zyrtarisht është në duart e SHIK-ut. Por, ndikimin e madh SHIK-u në PDK e ka pasur edhe para se Kadri Veseli dhe deputetët e tjerë të SHIK-ut, të bëheshin edhe zyrtarisht pjesë e politikës. Në fatin e Hashim Thaçit do të luajë rol të madh edhe Gjykata Speciale, nëse do të jetë edhe ky një ndër të akuzuarit nga kjo Gjykatë. Njerëzit e kësaj partie, janë më të inkriminuarit në krim dhe korrupsion, dhe nuk dallojnë shumë njëri nga tjetri. Sidoqoftë, mendoj që z. Kadri Veseli në një të ardhme shumë të afërt, do ta marrë timonin e partisë. Sepse çdo kalkulim politik është duke shkuar në favorin e tij.
                                                                      Dinaku Isa Mustafa
Të gjithë e dimë tashmë që Isa Mustafa është njeri i pabesë. Kur thotë diçka gjithmonë del e kundërta. E tradhtoi Fatmir Sejdiun, e tradhtoi edhe z. Behxhet Pacollin, para fushatës parazgjedhore. Kështu veproi edhe me koalicionin VLAN, të cilin në fund e tradhtoi, për hir të pushtetit dhe postit të kryeministrit, post për të cilin kishte marrëveshje me z. Ramush Haradinaj,  në mënyrë që z. Haradinaj të zgjidhej kryeministër.  Por, lakmia e postit të kryeministrit, Isa Mustafën dhe partinë e tij i dërgoi në prehrin e Hashim Thaçit dhe SHIK-ut. Prandaj, këtij njeriu nuk i zihet besë për asgjë, sepse është dhelpër dinake. Në çdo variant LDK-ja do të dalë humbëse, sepse Hashim Thaçi këtë gjë e ka planifikuar qysh prej fillimit. Matematikisht i bie që Thaçi nuk e ka problem të zgjidhet president, sepse votat prej pjesës dërrmuese të deputetëve të LDK-së i ka, përveç votat e Vjosa Osmanit, Adem Salihajt, Alma Lamës, Armend Zemajt, Arben Gashit dhe dy ose eventualisht tre deputetëve të tjerë të LDK-së që nuk i ka.
                                                           Koalicioni nuk është jetëgjatë, me apo pa Thaçin president
Por, edhe nëse Thaçi zgjidhet president, prapëseprapë do të kemi prishje të koalicionit nga ana e PDK-së,  sepse do të jetë mu PDK-ja ajo e cila do ta prishë koalicionin me LDK-në, në mënyrë që ta ketë edhe postin e presidentit, e në zgjedhjet e ardhshme ta synojë edhe postin e kryeministrit. Dhe nga e gjitha kjo lojë e ndyrë mes dy partnerëve të koalicionit, PDK-së dhe LDK-së, kjo e fundit do të dalë e lagur, shkaku i lakmisë së pushtetit dhe i kapriçove të kryetarit dhe servilëve të kësaj partie.  Ky njeri, Isa Mustafa, kryesia dhe këshilli i përgjithshëm i kësaj partie, do të mbahen në mend dhe do të futen në histori, që qëllimisht e shkatërruan këtë parti, që në kohën e Presidentit Rugova, ishte partia më e mirë dhe e rrethuar me intelektualët më të mëdhenj, e sot fatkeqësisht ka ngelur në dorën e servilëve dhe mjeranëve. Tragjedia akoma më e madhe për këtë parti do të jetë zgjedhja e Hashim Thaçit president, me votat e LDK-së, me votat e të ashtuquajturve ”rugovista”!
Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit “Llapi.info”.