Hapjen e ekspozitës për kontributin e ish-presidentit Ibrahim Rugova në shtetformimin e Kosovës, presidenti aktual, Hashim Thaçi e ka cilësuar si ditë të rëndësishme për vendin.

Thaçi bëri të ditur se pak para se të vinte në këtë ekspozitë, kishte nderin të ndante çmimin për liri dhe pavarësi për ish-presidentin Ibrahim Rugova.

“Kushdo që vjen në këtë ekspozitë do të rikthehet në momentet e vështira për Kosovën, gjendje kjo që lidhet me Presidentin historik Ibrahim Rugova. Duke qenë bashkë të gjithë në emër të Kosovës arritën deri në çlirimin e saj, të gjithë së bashku përgatitëm Kosovën për të qenë të pavarur. Kombinimi i këtij bashkimi nuk kishte si mos të kulmonte me pavarësinë”, ka deklaruar Thaçi, raporton lajmi.net.

Thaçi ka theksuar se Rugova ishte njeri i negociatave dhe pajtimit.

“Kosova ka identitet evropian dhe secili duhet të krenohet me këtë, shpreh edhe njëherë vlerësimin institucional për angazhimin e presidentit Rugova për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, përfundoi Thaçi.