Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për RTL-in kroat, ka thënë se do të jetë shumë e vështirë të arrihet paqja me Serbinë, por mënyra e vetme drejt zgjidhjes është dialogu.

RTL-i kroat shkruan se gjatë vizitës në Kosovës të lejuar nga autoritetet kosovare, Vuçiqi e ka shokuar publikun me një fjalim skandaloz në Mitrovicë, në të cilin, duke e rikujtuar tubimin në Gazimestan, ku Sllobodan Millosheviqi e ka mbajtur fjalimin para mijërave njerëzish, e ka përshkruar Millosheviqin si “lider të madh serb”.

Thaçi ka thënë që dihet botërisht që Sllobodan Millosheviqi ka qenë kasap i Ballkanit, që nga Sllovenia deri në Kosovë dhe se në mënyrë të drejtpërdrejtë është përgjegjës për gjenocidin e kryer në Kosovë.

“Glorifikimi i tij, tash kur janë shtuar përpjekjet për arritjen e paqes, sipas presidentit kosovar janë një gabim shumë i madh”, shkruajnë mediat kroate.

I pyetur nga RTL kroat nëse është befasuar nga dalja relativisht e dobët e serbëve në tubimin e Vuçiqit, Thaçi ka thënë se nuk merret me numrin e njerëzve që kanë marrë pjesë dhe se për të është shumë më i rëndësishëm fakti që vizita ka kaluar pa incidente.

Video: https://vijesti.rtl.hr/novosti/svijet/3253555/predsjednik-kosova-ekskluzivno-za-rtl-borba-sa-srbijom-vodi-se-u-bruxellesu/