Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për hapjen e linjës hekurudhore para pak çastesh në Munih.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kjo marrëveshje është një hap tjetër i arritjeve të Kosovës për zhvillim ekonomik.

Ai gjithashtu ka shprehur falënderime për Administratën Trump për përpjekjet e tyre në arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes dy shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Ambasadori Grenell të falënderoj për punën e shkëlqyer për këtë marrëveshje. Është një hap tjetër i arritur i progresit pas marrëveshjes së linjave ajrore Prishtinë-Beograd”, ka thënë ai.

Sipas tij, marrëveshja e sotme për hekurudha dhe autostrada është mesazhi më i mirë që rajoni do të ketë paqe, zhvillim ekonomik, progres, vende të punës dhe sipas tij, kjo është ajo çka ju duhet njerëzve në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

“Kosova beson në lidershipin e presidentit Trump dhe Administratën që gjatë gjithë kësaj periudhe dhe viti punojnë për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi. Kjo është rruga që duhet të ndjekim në të ardhmen dhe të mos mbetemi peng i të kaluarës së hidhur mes vendeve dhe popujve tonë”, ka thënë ai./rtk/