Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur një konferencë për Media, pas refuzimit që kryetarja e Kuvendit ia kishte bërë atij për të raportuar për vizitën e tij në SHBA.

Ai ka bërë edhe një vlerësim të procesit të dialog tash e 10 vjet që është mbajtur në Bruksel, nën ndërmjetësimin e BE-së dhe me mbështetje të SHBA-së.

“I jemi mirënjohës të gjithë atyre në BE që na kanë përkrahur dhe mbështetur në këtë proces.

Pas çdo takimi në Bruksel, unë kam raportuar në Kuvendin e Kosovës. Procesi ka qenë gjithmonë transparent”, ka thënë ai.

Por, ky proces sipas tij, arriti maksimumin e asaj që mund të arrinte. Mungesa e unitetit ndër shtetet anëtare të BE-së, u reflektua edhe në gjasat dhe mundësitë e arritjes së një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Më lejoni ta ilustroj këtë me një shembull. BE dhe shtetet anëtare të BE-së nuk i a arritën të bindin as 5 anëtaret e BE-së që të njohin Kosovën e le më të bindin Serbinë që të njohë Kosovën. Kjo është gjendja në të cilën e gjejmë veten pas gati një dekade të dialogut nën BE-në”, ka shtuar ai.

Sipas tij, vonesa nuk është në interesin tonë, duhet të jemi përsëri të mençur, të shfrytëzojmë rastin e ofruar dhe të bëjmë hapin tjetër të madh, strategjik për Kosovën.

Kështu sipas tij kemi vepruar në Rambuje, kështu kemi vepruar në Vjenë. “Dhe në fund kemi qenë ne ata të cilëve u ka rënë mirë. Kemi qenë ne ata që kanë dalë fitimtarë. Në pozitë të njëjtë jemi edhe sot. Kemi Presidentin Trump që ka shtuar vëmendjen në Kosovë dhe në rajon. Kosova nuk ka gëzuar kaq vëmendje që nga shpallja e pavarësisë. Kemi një emisar amerikan që me guxim dhe vizion po e shtynë përpara dialogun dhe gjasat për të arritur një marrëveshje. Ky është momentumi i ri që duhet ta shfrytëzojmë”, ka thënë ai./rtk