Tërheqjen e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) dhe shtyrjen e kësaj kërkese për vitin e ardhshëm, Beogradi zyrtar po e konsideron si një fitore të diplomacisë së Serbisë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se tërheqja e sotme nga kërkesa e Kosovës për pranim në INTERPOL është “një fitore e vogël, taktike” për Serbinë.

Siç raportojnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, Vuçiqi ka thënë se Kosova ka hequr dorë nga kërkesa sepse e ka prë se rezultati do të ishte edhe më i keq sesa në votimi në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it vitin e kaluar.

“Menduan se të paktën tendenca do të ishte më e favorshme se vitin e kaluar, por hoqën dorë kur panë që edhe më pak shtete do të votonin për anëtarësimin e tyre. Nuk ishte një vendim i pamençur për ta sepse qytetarët e tyre nuk ishin në gjendje të shohin se sa mbështetje ata kanë humbur”, u tha Vuçiq gazetarëve, përcjell Telegrafi.

Edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq tha se Prishtina ka tërhequr kandidaturën e saj për anëtarësim në INTERPOL, “sepse e kuptoi që nuk ka asnjë shans për t’u bërë anëtar as i organizatës botërore të policisë, ose organizatave të tjera të rëndësishme ndërkombëtare”.

Në një deklaratë për media ai tha se kjo ishte një dëshmi e pozicionit të forcuar ndërkombëtar të Serbisë dhe një përfundim i iuzionit që Prishtinës i lejohet gjithçka dhe se veprimet e njëanshme të Prishtinës nuk mund të kalojnë më ndërsa Serbia është e fortë”.