Si pasojë e tentimit për t’i grabitur dy bankomate në një qytet të vogël në verilindje të Brazilit, 14 persona kanë humbur jetën gjatë të shtënave me armë zjarri midis plaçkitësve dhe Policisë.

Shumica e viktimave humbën jetën kur policia braziliane ka hapur zjarr ndaj grabitësve të cilët ndodheshin brenda degëve të bankave në rrugën kryesore të shtetit Ceara, shkruan Reuters, transmeton Klan Kosova.

Gjashtë nga anëtarët e bandës kanë ndërruar jetë menjëherë pas të shtënave me armë që u zhvilluan pas mesnatës. Dy të tjerë kanë vdekur në spital si pasojë e plagëve të rënda.

Gjithashtu edhe gjashtë persona që ishin marrë pengë nga plaçkitësit, kanë humbur jetën gjatë të shtënave me armë zjarri.

Mediat braziliane kanë raportuar se pesë prej pengjeve të vdekur i përkisnin të njëjtës familje, duke përfshirë dy fëmijë të moshës 13 dhe 14 vjeçare.