Mungesa e hapsirës së mjaftueshme në Qendrën Emergjente në Podujevë paraqet problem të madh për t’ju dal në ndihmë qytetarëve të shumtë, të cilët po përballen me probleme shëndetsore për shkak të temperaturave të larta.

Temperaturat e larta të cilat po mbizotërojnë ditëve te fundit kanë ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve në QKMF – Podujevë. Këtë e ka bërë të ditur për Llapi.info, mjeku kujdestar në Qendren Emergjente Hekuran Dibrani.

Ai ka deklaruar se numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë është rreth 200 në 24 orët e fundit. Poashtu, ka pasur edhe raste emergjente të cilat janë dërguar në QKUK.
10 nga këto raste kanë qenë raste të alergjisë nga insektet dhe pickime nga rriqrat.

Më të prekurit nga këto temperatura janë  të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, trajtimi i të cilëve paraqet problem për shkak të mungesës së kushteve elementare në këtë qendër. Kjo mund të vërehet, sepse sapo të hysh në sallat e Qendres Emergjente, sheh pacientë që  ndajnë një shtrat për të marrë infuzion.

foto2

Dibrani më tej ka shtuar se ka pasur edhe rritje të numrit të aksidentëve dhe i ka këshilluar vozitësit të jenë më të kujdesshëm, sepse temperaturat e larta ndikojnë në mungesën e përqëndrimit.

Përveç  mungesës së hapsirës, Qendra Emergjente në Podujevë po përballet edhe me mungesë të stafit, ku gjatë një ndërrimi në këtë qendër  ka vetëm një mjek kujdestar.

Qytetarët e shumtë janë ankuar jo vetëm për mungesë të hapsirës për ofrimin e shërbimeve, por edhe për barnat, të cilat ata duhet t’i sigurojnë vetë.

Por, këtë gjendje Kryetekniku i QKMF –së, Adem Krasniqi, e ka quajtur jo alarmante.
Ai ka thënë se brenda Komunës së Podujevës janë edhe 4 qendra tjera funksionale nga ora 7 e mëngjesit e deri në orën 20:00. Ato qendra janë  në Lluzhan, Orllan, Kërpimeh dhe  QKMF 2.

Ai i fajson qytetarët për gjendjen e krijuar në Qendrën Emergjente, sepse sipas tij këto shërbime ofrohen edhe nëpër Ambulanca Familjare, të cilat janë funksionale pothuajse në çdo fshat.

Ushtrues i detyrës së Drejtorit në QKMF,  Afrim Shabani ka thënë se rrëmuja shkaktohet për shkak se në Qendrën Familjare përfshihet edhe shërbimi i infuzioneve. Më tej ai ka shtuar se ky shërbim duhet larguar nga QE,  në mënyrë që aty të pranohen vetëm rastet emergjente.

Shabani ka shtuar se deri më tani numri i puntorëve është 246, por ka nevojë që ky numër të rritet, në mënyrë që të jenë më funksionalë./Llapi.info

11694302_10204343935174195_969137431_n (1)