Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë pesë ditëve të ardhshme do të mbajë mot i ndryshueshëm dhe me vapë.

Sipas këtij instituti, të hënën mbi vendin tonë parashihet të ketë vranësira të cilat vende-vende mund të sjellin riga shiu në formë stuhish.

Rigat e shiut të shoqëruara me rrufe dhe me stuhi pritet të rikthehet sërish të premten, pas disa ditëve të nxehta.

“Nga dita e martë deri të enjten moti do të jetë i nxehtë me temperatura të larta deri 37 gradë Celsius. Minimalet parashihen të lëvizin ndërmjet 17-19 gradë Celsius, ndërsa maksimalet parashihen të lëvizin ndërmjet 30-37 gradë Celsius. Në fundjavë do të kemi kushte tjera meteorologjike. Në fushat barike do të ketë luhatje gjë që do të mundësojë që nga dita e premte mbi territorin tonë të ketë vranësira të dendura të cilat do të sjellin riga shiu të shoqëruara me rrufe dhe me stuhi.”

“Për shkak të ndryshimeve të temperaturave, proceseve fizike dhe dinamike që do të ndodhin në Troposferë, ekziston mundësia që në territore të caktuara rigat e shiut të shoqërohen me breshër. Indeksi UV deri në fundjavë mbetet në vlerat e rrezikut, prandaj këshillat e IKSHP që nga ora 10-17 të mos jemi në kontakt me rrezet e diellit mbeten në fuqi. Do të fryjë erë drejtimesh të ndryshme e lehtë dhe lokalist e fortë”, thuhet në njoftim.