Udhëtimi drejt Gjermanisë mund të sjell takime të shpeshta me shqiptarët. Edlira dhe Diamandi punojnë prej gati dy vitesh në një furrë buke, në aeroportin e Frankfurtit.

Fillimisht ata flasin në gjuhën e vendit ku kanë emigruar, por kanë në distinktiv edhe flamurin shqiptar.

“Non stop shqip flasim këtu. Vetëm po të vijë ndonjë gjerman, atëherë flasim në gjuhën e tyre, sepse këtu kemi shumë kolegë pune që janë shqiptarë, edhe shefin e kemi shqiptar”, tha për Top Channel, Diamand Aliçki.

Muajt e parë larg vendlindjes për ta nuk kanë qenë më të mirët.

“Normale në fillim po, por pastaj jo, se njihesh me kulturën, bashkohesh me ta dhe nuk është shumë e vështirë”, tha Edlira Tahiraj.

Por, me mësimin e gjuhës, krijimit të shoqërisë me grupin e punës, apo të ardhurat e mira që fitojnë, të gjitha këto kanë bërë sot që të rinjtë të mos dëshirojnë kthimin.

“Të tre ne; si unë, si vëllai, si ky; kena ardhur me qëllimin të punojmë këtu, të bëhemi të pavarur, të fitojmë diçka. Normal që në Kosovë ke vendin tënd, ke familjen, por këtu është më mirë”, tha Edlira Tahiraj.

“Kam ardhur me kontratë pune për tri vite dhe s’besoj se do të kthehem”, tha Diamand Aliçki.

Gjermania mban vendin e parë të emigrimit potencial. Top Channel thotë se tendenca e re e emigrimit është që po duan të largohen nga Shqipëria studentët dhe të arsimuarit, ndryshe nga ç’ndodhi në vitin 2007, kur emigruan të papunët. Kjo, sipas studimit të fundit mbi trendet migratore të Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale.