Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë takimit virtual që zhvilloi me kryetarët e komunave ka konfirmuar se ditën e premte do të vijnë vaksina të reja anti-COVID.

Ai ka bërë të ditur se do të vijnë 100 mijë vaksina ditën e premte.

“Ministri Vitia tha se aktualisht tema kryesore jona është procesi i vaksionimit dhe pritet që të premten të vijnë edhe 100.000 vaksina të reja ku do të nis procesi i vaksionimit në masë të qytetarëve”, bëhet e ditur në njoftimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Poashtu bëhet e ditur se janë lehtësuar procedurat për aplikim për vaksinim.

“Poashtu tani kemi lehtësuar edhe procedurat për aplikim për vaksionim në platformën e-kosova por edhe komunat kanë ndihmuar në regjistrimin e të moshuarve për procesin e vaksionimit”, citohet të ketë thënë Vitia.

Ministri Vitia ndërkaq ka aprovuar kërkesën e kryetarëve të komunave që të hiqet ora policore dhe nga mesi i qershorit të lejohen ahengjet me fillim në sezonës së verës kur do të vijnë edhe mërgimtarët.

Poashtu pritet që lokalet të lejohen të punojnë deri në ora 23:00 e natës.