Pas triumfit të shënuar në zgjedhjet e 29 nëntorit, kandidati i VV-së, Shpejtim Bulliqi, të hënën, do të betohet si kryetari i Komunës së Podujevës, njofton Llapi.info.

Kështu ka bërë të ditur në një postim në Facebook shefi i grupit të këshilltarëve të VV-së në asamblenë komunale, Vendenis Lahu.

“Sot, në cilësinë e Shefit të Grupit të Asamblistëve të Vetëvendosjes!, në orët e paraditës, pata disa konsulta me Kryesuesin e Kuvendit Komunal te Podujevës, me ç’rast u dakorduam në parim që, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, të thërrasim për ditën e hënë seancën solemne për dhënien e betimit nga Kryetari i ri i Komunës.  Pas certifikimit të rezultateve sot në mesditë, z.Bulliqi është edhe zyrtarisht Kryetar i Komunës së Podujevës. Në orët e pasditës, kryetari Bulliqi nënshkroi thirrjen e seancës solemne për dhënien e betimit. Seanca solemne ku do të japë betimin kryetari i ri, është caktuar për ditën e hënë, në ora 10:00”, ka shkruar ai.

Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin Shpejtim Bulliqi ka triumfuar në zgjedhjet e 29 nëntorit në garën për të parin e Komunës së Podujevës.

Sipas rezultateve përfundimtare, kandidati i VV-së, Shpejtim Bulliqi ka fituar këto zgjedhje me 18.286 vota apo 51.9 për qind të votave.

Ndërkaq, Nexhmi Rudari i LDK-së ka marr 12.627 apo 35.8 për qind të votave, kurse në vend të tretë është radhitur ai i PDK-së me 4.341 vota apo 12.3 për qind.

Lidhja Demokratike e Kosovës edhe zyrtarisht ka humbur bastionin më të madh të saj në Llap.

Lëvizja Vetëvendosje ka thyer “kalanë” e kësaj partie në zgjedhjet e 29 nëntorit, parti kjo që ka qeverisur me këtë komunë përgjatë dy dekadave./Llapi.info