Greva e paralajmëruar nga SBASHK-u, do të mbahet në të gjitha shkollat e Podujevës nga 14 janari (e hënë), raporton Llapi.info

Në lidhje me këtë grevë, Sindikata e Arsimit Fillor e të Mesëm e Komunës së Podujevës ka mbajtur sot mbledhjen e jashtëzakonshme me kryetarët e Shoqatave sindikale të shkollave, për grevën e përgjithshme të paralajmëruar ditën e hënë më 14 janar 2019

Vendimi për grevë i Këshillit të Përgjithshëm I SBASHK-ut është përkrahur unanimisht nga të gjithë kryetarët të shkollave dhe është kërkuar që në asnjë rast të mos ndërpritet ajo deri në plotësimin e kërkesave të mësimdhënësve të nivelit fillor, mesëm dhe çerdheve të parashkollorëve.

Sipas tyre, ky vendim ka pasuar në shenjë pakënaqësie për koeficientin ultë të sektorit të arsimit dhe të çerdheve parashkollore.

Në këtë mbledhje është formuar edhe këshilli grevist me kryetar Fadil Halimin, në bazë të pozitës së kryetarit të Sindikatës së AF e AM si dhe këshillat greviste të Shoqatave të Shkollave greva fillon çdo ditë nga ora 9:00 deri në orën 12:00, për të gjithë grevistët e të gjitha ndërrimeve.

Pas përfundimit të orarit të grevës, të punësuarit lëshojnë objektin në të cilin është zhvilluar greva për të vepruar kështu çdo ditë të grevës. Gjatë periudhës sa zgjatë greva e përgjithshme ndërpriten të gjitha aktivitetet që lidhen me punën në institucionet arsimore.

“Këshillat grevistë gjatë kohës se grevës qëndrojnë në objektet ku mbahet greva dhe janë përgjegjësit kryesor për mbarëvajtjen e grevës. Gjatë grevës, grevistët qëndrojnë në vendin e caktuar nga Këshilli grevist i atij institucioni. Këshillat grevistë të çerdheve, shkollave dhe njësive akademike raportojnë te Këshilli grevist komunal, kurse ata pastaj raportojnë te Këshilli Qendror Grevist për ecurinë e grevës”, u tha në këtë mbledhje, transmeton Llapi.info

Greva e cila pritet të fillojë të hënën, po konsiderohet e dëmshme për fëmijët nga Këshilli i Prindërve të Kosovës, si dhe nga ministri i arsimit, Shyqyiri Bytyqi./Llapi.info