Në pjesën e tretë të vargut të mrekullueshëm të librave, Roy Jacobsen rikthehet te personazhi që e kishte shpërfaqur në “The Unseen”: Ingrid Barrøy, e lindur dhe e rritur në një ujdhesë sa troha në Norvegjinë Veriore, emrin e së cilës ajo e mban “ujdhesa e zhveshur”.

Ishte një roman mrekullisht i përpiktë dhe aq i lavdëruar sa u pati nominuar për çmimin “Man Booker International” më 2017-n. Fokusohej në botën e vogël të ujdhesës në tri dekadat e para të shekullit të kaluar; në librat e mëpastajmë, bota e jashtme rrjedh në të dhe ballafaqohet kryekreje me Ingridin, shkruan “The Guardian”, transmeton KOHA.

Instalacioni i dytë, “White Shadow”, është vendosur në vitet e fundit të Luftës së Dytë Botërore: aty mbërrijnë ikanakë nga treva veriore e Finnmarkut, kolaboratorët shpërdorin pushtetin, dhe i burgosuri rus i luftës Alexander, pasi mbijetoi fundosjen e MS Rigel, zbarkon në Barrøy. Ingridi bie në dashuri me djaloshin e ri duke e fshehur atë prej nazistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre derisa ai e merr veten mjaftueshëm sa për të kaluar me biçikletë në Suedinë asnjanëse.

Te “Eyes of the Rigel”, Ingridi përshkon gjithandej vendin e dalë nga lufta në kërkim të babait të bijës së saj dhjetëmuajshe. Të vetmet momente të Ingridit për dashnorin e saj janë sytë e së bijës, të zi si të Alexanderit, dhe një shënim në rusisht, të cilin fqinji e ndihmoi ta deshifronte: aty thoshte nëntë herë “Të dua”.

E armatosur me njohuri të kufizuara për hapërimin e Alexanderit, Ingridi ndërmerr një odisejadë ku mund të shohë veç një hap tutje. Ajo nuk është e familjarizuar me “brendatokën misterioze”, nuk ka qenë kurrë më parë në jug të Norvegjisë apo në tren, por tani rruga e çon përmes një vendi që po gatitej për hop ekonomik, në ferma të lulëzuara e katunde të largëta, një qytet të ri xehetar, ndanë kufirit suedez, dhe sërish në Norvegji drejt jugut në një kamp me njerëz të zhvendosur.

Derisa ajo ecën skaj asaj që një personazh e quan “rrugë e ndërgjegjëve të këqija”, njerëzit që ajo takon dinë gjithmonë më shumë sesa ajo, e prapë asnjëherë nuk e dritësojnë të vërtetën e plotë: ish-luftëtarët e rezistencës, partizanët që luftuan për kauzën komuniste, bashkëpunëtorët e nazizmit dhe qytetarët që luhaten mes këtyre dy kategorive jetojnë krah për krah në një paqe të parehatshme. Shpesh ata rrëfejnë të fshehtat e tyre – frikën, bashkëpunimin, ndëshkimin – para Ingridit e cila, me prejardhjen e saj nga ujdhesa iu duket atyre si prej një bote tjetër, karakterizohet prej dialektit të saj dhe naivitetit të çiltër.