Pas publikimit të një fotografie ku shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq shihet ulur në një tavoline bashkë me Xhelal Sveçlën e Vetëvendosjes, ka ardhur sqarimi i ‘Zyrës për Kosovën”, e cila ka treguar qëllimin e takimit në Tiranë.

E ashtuquajtura Zyrë për Kosovën ka thënë për “Kossev” se Marko Gjuriq po merr pjesë në një tryezë të rrumbullakët për bashkëpunimin rajonal, të organizuar në Tiranë (7-9 dhjetor), e në margjina të saj ai është takuar me përfaqësues të LVV-së, LDK-së dhe AAK-së.

“Gjatë qëndrimit në Tiranë, në margjinat e konferencës, Gjuriq po mban takime të shumta me përfaqësues të partive politike nga Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia Veriore, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova. Në mesin e pjesëmarrësve në këtë tubim rajonal, janë të përfshirë edhe përfaqësues të partive në pushtet dhe opozitare nga Republika e Serbisë”, thuhen në sqarimin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, përcjell Telegrafi.


Përndryshe, Gjuriq të premten, para se të udhëtonte për Tiranë, mbajti një konferencë për shtyp në Beograd, në të cilën ndër të tjera ka komentuar deklaratën e Albin Kurtit se ai “nuk dëshiron të negociojë me Vuçiqin”, duke thënë se “Kurti nuk mund të vendos për kuadra në emër të Serbisë” .


Lidhur me takimin e mbrëmshëm në Tiranë, është sqaruar për media edhe Xhelal Sveçla, duke thënë se është organizatori i konferencës ai që cakton vendet se ku do të ulen pjesëmarrësit. Edhe Arban Abrashi ka konfirmuar se po merr pjesë në këtë konferencë.