Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nesër do të udhëtojë nga Franca për në Belgjikë, për takimin e planifikuar për të hënën në Bruksel.

Kështu kanë bërë të ditur për Telegrafin nga Zyra e Kryeministrit.

“Kryeministri Kurti nesër do të udhëtojë për në Bruksel për takimin e paralajmëruar me z.Vuçiq”, thuhet në përgjigje.

Të hënën më 19 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen në Bruksel, në raundin e ri të dialogut Kosovë-Serbi.

Nga zyra për media e BE-së, kanë konfirmuar për Telegrafin se takimi do të mbahet të hënën.

“Ne mund të konfirmojmë se takimi i ardhshëm i nivelit të lartë do të zhvillohet të hënën më 19 korrik në Bruksel”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Takimi në mes Kurtit dhe Vuçiqit i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian do të përqendrohet, sipas zëdhënësit të BE-së Peter Stano në diskutimin mbi përparimin e deritashëm dhe hapat e mëtejmë të bisedimeve, që janë shumë të rëndësishme për ardhmërinë evropiane të Kosovës dhe të Serbisë.

Takimi do të nis në orën 14:00 të pasdites, ku delegacionet e të dyja vendeve së pari do të takohen me ndërmjetësuesit e BE-së Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak dhe më pas do të pasojë një takim trepalësh.