Zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri, e ka quajtur shokues vendimin e Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Ligjit për Paga.

Tahiri, përmes një postimi në Facebook ka thënë se ky është mohim i të drejtës në përfitim nga puna për mbi 62,000 shërbyes civilë.

Postimi i plotë i Tahirit:

“Shokues vendimi i Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Ligjit të Pagave, pa lënë hapësirë për korrigjimin e tij në ato pak pjesë kontestuese. Ky është mohim të drejtës në përfitim nga puna për mbi 62000 shërbyes civilë.

Policët, punëtorët shëndetësorë, punëtorët e arsimit, e shumë kategori të tjera meritojnë paga, ashtu siç janë paraparë nga Qeveria Haradinaj.

Posa ta pranojmë vendimin, ne do të evitojmë lëshimet që kanë sjellë deri te anulimi i këtij ligji dhe me ngulm insistojmë që i njëjti me plotësimet e kërkuara të votohet dhe të hyjë në zbatim me urgjencë!”, ka shkruar Tahiri.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur sot të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

“Shkeljet kushtetuese të evidentuara në Ligjin e kontestuar janë të një peshe aq serioze sa që të njëjtat ndikojnë në bërthamën e funksionimit të qeverisjes në Republikën e Kosovës – duke shkaktuar disekuilibrim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe Institucioneve të Pavarura”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës.

Aty poashtu thuhet se “deputët, pa ndonjë arsyetim dhe në mënyrë arbitrare kishte përjashtuar nga ky Ligj, ndër të tjera, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Forcën e Sigurisë së Kosovës,Bankën Qëndrore të Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit”.

Ligjin për paga, më 6 dhjetor të vitit të kaluar në Gjykatën Kushtetuese e ka dërguar institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhet “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës kishte vendosur që të pezullohet zbatimi i këtij ligji, deri më 30 mars 2020. Me pastaj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020.

Ligji për paga është miratuar në muajin shkurt të vitit 2019, kurse në fillim të muaji mars patë hyrë në fuqi.