Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se do ta përkrahë kërkesën e shërbyesve korrektues për rikthim të Ligjit për Paga në Kuvend.

Ai ka thënë në Puls të KTV-së se është zotuar që në fillim të mandatit se do të përpiqet që trajtimi i shërbyesve korrektues të jetë i barabartë me të policëve.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës ka qenë prej institucioneve më të lëna anash. Zotimi im si ministër prej momentit që jam në detyrë ka qenë që të angazhohem të fuqizoj pozitën e tyre sepse është një prej agjencive mjaft të rëndësishme. Sot kemi gardianë, oficerë korrektues, të cilët më besoni vuajnë nga lëndimet që kanë pësuar nga sulmet nga të burgosurit. Ballafaqohen me probleme të mëdha. Ka qenë zotim i imi që kjo organizatë të trajtohen barabartë si policët. I mungon ligji, i cili është në agjendën time. Këta duhet të trajtohen si policia e Kosovës. Kërkesa ime ishte që të nivelizohen me policinë. Kërkesë e imja ishte që Shërbimi Korrektues të ketë shtesën sa policia e Kosovës. Ishte në duart e deputetëve. Ata që e penguan dhe ata që e lejuan një gjë të tillë. Kemi nëntë muaj deri në implementimin e Ligjit. Shoh sfidë të madhe implementimin e tij”, ka thënë ai duke shtuar se “Do ta përkrahi kërkesën e oficerëve korrektues që ky ligj të shkojë konform kërkesës së tyre e në anën tjetër është përcaktim i presidentit se çfarë do të vendosë. Unë i përkrah kërkesat e tyre”.

Sot mbi 1600 oficerë korrektues në gjithë Kosovën mbajtën protestë njëorëshe si shenjë pakënaqësie për Ligjin për Paga. Sindikata e Shërbimit Korrektues i bëri thirrje presidentit Hashim Thaçi që të mos e dekretojë këtë ligj që u miratua në Kuvend ditë më parë.

Tahiri në Puls të KTV-së ka komentuar edhe deklaratat e kryeministrit Ramush Haradinaj se në listat për veteranë s’ka veteranë të rrejshëm. Ka thënë se është mirë të mos bëhet presion dhe se kjo duhet t’i lihet në duar drejtësisë.

Më tej ai ka dalë kundër shefit të tij në qeveri edhe për taksën duke shtuar se ajo duhet të pezullohet.