Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, sot në fjalimin e tij në Kuvend, e ka vlerësuar si skandaloze deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të tij me liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel.

Ai ka thënë se meqë nuk publikohen ato që thuhen brenda takimit, duhet të komentohen ato që thuhen jashtë, shkruan Reporteri.net.

“Para dy ditësh kryeministri Kurti mori pjesë në darkën e Borrelit me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Përendimor, e inkurajojmë kryeministrin të merrë pjesë në të gjitha iniciativat rajonale që i sjellin të mira Kosovës. Në këto forume e darka logjika thotë se duhet të flitet për situatën aktuale, pandemike dhe për sfidat konrete që i ka Kosova dhe rajoni. Por meqë nuk publikohet ajo që flitet brenda rëndësi ka ajo cfarë deklarohet jashtë. Deklarimet e kryeministrit tonë pas darkës më mirë mos t’i kishim dëgjuar fare. Nga kjo deklaratë e kryeministrit në shoqërinë e Brnabiqit doli diçka që shkon përtej imagjinates. Një deklaratë skandaloze e Kurit që fatkeqësisht i hedh pluhur të kaluarës së shtetit tone.” ka thënë Tahiri.

Tutje ai ka akuzuar Kurtin se nuk pati guxim që të thotë se adresa e kriminelëve të luftës është në Serbi.

“Të nderuar deputetë, botërisht është e ditur kush është krimineli dhe kush është viktima në Ballkanin Perëndimor. Botërisht është e ditur kush ka kryer krime në përmasa të gjenocidit në Bosnje dhe në Kosovë. Botërisht është e ditur ku është adresa e kriminelëve të luftës. Fatkeqësisht, diçka që nuk e kemi besu asnjëherë, kryeministri jonë nuk pati guxim të thotë se kjo adresë është Republika e Serbisë.”, ka thënë Tahiri.

Sipas shefit të GP të PDK-së, Kurti me paramendim ka zgjeruar hartën duke kërkuar të tillë edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Tahiri ka kërkuar që Kurti të jap sqarime për deklaratat e tij dhe të tregojë se kush janë kriminelët e luftës në Kosovë që duhet të largohen nga institucionet shtetërore.