Llapi ka regjistruar humbjen e dytë radhazi në Superligën e Kosovës në futboll, derisa sot është mposhtur në shtëpi nga Drita me rezultat 2-4, raporton Llapi.info.

Golat për nikoqirët i realizuan Ahmed Januzi dhe Edon Sadriu, ndërkohë që për mysafirët dy gola i shënoi Xhevdet Shabani dhe nga një Festim Alidema dhe Pricley, për t’i rrëmbyer tri pikë të plota nga kjo ndeshje.

Pas kësaj disfate, kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina ka deklaruar se në këtë takim, siç ka vlerësuar ai, ka ndikuar lodhja nga ndeshja me Prishtinën.

“Mendoj se kemi parë një Llap krejt tjetër në pjesën e parë, kemi shënuar dy gola dhe si skuadër e kemi rrezikuar Dritën. E dija që do të ishte e vështirë, por ne ishim të lodhur nga ndeshja me Prishtinën. E kuptoj rëndësinë e ndeshjes, skuadra si Prishtina, Ballkani, Drita dhe Llapi kur japin maksimumin në një ndeshje, kanë probleme në ndeshjen tjetër. Ky është futbolli, duhet të mendojmë për lojërat e radhës”, tha Batatina pas ndeshjes për ArtSport.

Pas javës së 28-të, Drita vazhdon të jetë lider me 61 pikë, gjersa Llapi gjendet në të shtatin me 33 sosh dhe vazhdon luftën për qëndrimin në elitën e futbollit kosovar./Llapi.info